Ahmetaj i kthen përgjigje skeptikëve: Ata që patën dyshim të shikojnë sot
BE jep 15 mln euro për shkollat e dëmtuara nga tërmeti
Këtë të mërkurë u zhvillua ceremonia për firmosjen e kontratës së parë të Bashkimit Europian që i jep Shqipërisë 15 milionë euro për ndërtimin e shkollave që u shkatërruan nga tërmeti.
Të pranishëm në këtë ceremoni, që për shkak të situatës së koronavirusit u zhvillua online ishte Ambasadori i BE-së Luigi Soreca, përfaqësuesja e UNDP-së Limya Eltayeb, zv/ministri i Arsimit Oltion Rrumbullaku dhe ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.
Ky i fundit falenderoi Soreca-n për ndihmën, ndërsa theksoi se fjalët e dhëna më 17 Shkurt bëhen sot realitet.
“Ata që kanë pasur një dyshim a do të vazhdojë rindërtimi, a do ta mbajë fjalën BE dhe KE ja pra shikojeni sot. Sot është 15 mln i parë që do të shkojë për rindërtimin e shkollave. Dje është aprovuar buxheti prej 100 mln euro për Shqipërinë”, tha Ahmetaj, i cili shtoi se me këto fonde do të ndërtohen 22 shkolla në 5 zona të dëmtuara si dhe do të rikonstruktohen mbi 100 shkolla
“Motoja ju nuk jeni vetëm, nuk është një klishe dhe është një qëllim dhe do të bëhet realitet i qeverisë shqiptare për ju dhe sëbashku me donatorët”, tha Ahmetaj.
Komisioni Europian alokoi dje në buxhetin e rishikuar të BE-së për vitin 2020 shumën prej 100 milionë euro të premtuar për Shqipërinë pas tërmetit të 26 Nëntorit./tvklan.al