Ahmetaj: Rruga Kashar-Rrogozhinë, investim kyç për ekonominë


Ahmetaj: Rruga Kashar-Rrogozhinë, investim kyç për ekonominë

15:30 03/06/2018

Një ndër projektet infrastrukturore që qeveria pritet të nisë në vitin 2019, rruga Kashar -Rrogozhinë shihet nga qeveria si një investim kyç për zhvillimin e zonës. Nga Rrogozhina ku vijoi turin e llogaridhënies, Ministri i Financave, Arben Ahmetaj tha përmes kësaj rruge e gjithë zona në vetëm 20 minuta do të jetë e aksesueshme për këdo, duke ndikuar ndjeshëm edhe në turizmin e zonës.

“Rrogozhina do të përfitojë nga projekti i madh infrastrukturor që është Kashar-Rrogozhinë. Besoj në krye të tre- katër viteve, zona do të jetë krejtësisht ndryshe, sepse Tiranë-Rrogozhinë do të jetë për 15-20 minuta, Rrogozhinë-plazh nëpërmjet Vilë Bashtovës, apo edhe hyrjes në anën tjetër, do të jetë maksimumi 15-20 minuta. Pra, do të jemi nyje shumë e rëndësishme në trafikun e Shqipërisë, por edhe në trafikun komercial të Shqipërisë, por edhe në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe të turizmit”.

Infrastruktura dhe turizmi nuk janë të vetmit sektorë që shihen me prioritet nga qeveria në këtë zonë.

 “Kur erdhëm para dy muaj e gjysmë folëm për investimet dhe mbështetjen në bujqësi dhe janë gati pak më pak se 60 fermerë në gjithë bashkinë e Rrogozhinës që kanë dalë fitues në raundin e parë për mbështetje nga AZHBR, pra subvencion nga shteti. Dhe në të gjithë zonën e Kavajë-Rrogozhinës janë gati 127 fermerë që kanë fituar të drejtën për mbështetje”.

Ahmetaj tha se këtë vit 92% e aplikantëve kanë fituar të drejtën për të marrë subvencione.

Tv Klan

 






Të ngjashme