Ahrens vizitë në Gjirokastër (23 Nëntor 1999)


Ahrens vizitë në Gjirokastër (23 Nëntor 1999)

12:12 23/11/1999

Ambasadori i OSBE-së Gert Ahrens viziton dy qytete problematike për kontrabandën dhe korrupsionin, Gjirokastrën dhe Sarandën. Gjatë tre ditëve të qëndrimit të tij në këto zona ai është takuar me drejtuesit më të lartë të Pushtetit Lokal dhe të Drejtorive të Policisë. Ai ka vënë në dukje bashkërendimin e punës mes qendrës dhe bazës për një efektivitet më të lartë në luftën kundër korrupsionit. Këto takime kanë shërbyer për një njohje më të mirë të problemeve pasi Ambasadori Ahrens është dhe kryetari i Grupit Miqtë e Shqipërisë.

Në Gjirokastër, Ahrens ka siguruar se dhe institucione të rëndësishme botërore si UNESCO janë të interesuara për vlerat e mëdha kulturore që mbart qyteti. Ndërkohë Bashkia e Gjirokastrës i ka kërkuar një fond prej 35 milion lekësh të reja Qeverisë Shqiptare për shtëpinë e djegur të shkrimtarit tonë Ismail Kadare. Sipas Kryetarit të Bashkisë, Ylli Asllani ky fond do të shërbejë për rikonstruksionin total të shtëpisë dhe kthimin e saj në muze. Në Gjirokastër ka dhe shumë objekte të tjera me vlerë kulturore të cilat kërkojnë shumë fonde për rikonstruksionin e tyre. Strukturat përkatëse mund të jenë më të interesuara për ruajtjen e monumenteve tona kombëtare./tvklan.al






Të ngjashme