AKM: “Actor” të rehabilitojë Parkun Kombëtar të Mulletit
Kompania “Actor” që kryen punimet në autostradën Tiranë – Elbasan do të jetë e detyruar që të rehabilitojë zonën e dëmtuar në Parkun Kombëtar Natyror të Mulletit, pas hedhjes pa kriter të dherave në një sipërfaqe të gjelbërt prej 7 500 metrash katrore.
Drejtues të Agjencisë Kombëtare e Mjedisit pohuan për Televizionin Klan se kjo kompani, gjatë propozimit të zonave të reja të vend depozitimit, do të ketë si detyrim prezantimin e një plani për kthimin në gjendjen e meparshme të zonës së dëmtuar nga kjo masakër mjedisore.
Rehabilitimi përfshin heqjen e sasive të mëdha të dherave të hedhura në zonën e gjelbërt dhe mbjelljen e mijëra rrënjeve pemë të dëmtuara.
Ky do të jetë edhe një kusht për marrjen e lejes mjedisore.
Skandali i shkatërrimit të Parkut Kombëtar Natyror të Mulletit u thellua kur u zbulua se kompania “Actor” ka punuar pa leje mjedisore.
Për disa javë me radhë kamionët e saj, kamionët dhe makineritë e tjera të rënda të saj, dheun e hequr nga kodra e Mulletit nuk e transportuan në vendet e miratuara, por për të shkurtuar shpenzimet e depozituan në dy krahë të autostradës.
Ndonëse kjo masakër mjedisore ndodhi vetëm 5 kilometër larg kryeqytetit, asnjë institucion, si Ministria e Transporteve dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar që janë pronarë të rrugës apo Bashkia e Tiranës që miraton vendin e depozitimit të dherave, nuk reagoi në kohë për ta parandaluar atë.
Atë nuk e penguan as dy gjoba të vëna nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit.
Ndonëse ky është një prej dëmeve më të mëdha që i është shkaktuar Parkut Kombëtar Natyror të Mulletit, ndaj këtij skandali heshtën ambientalistët e gjelbërim dashësit, pavarësisht se gjithçka ndodhi vetëm pak kilometra larg shtëpive, zyrave apo ambienteve që ata frekuentojnë në qendër të Tiranës.
Tv Klan