Aksidenti i 17-vjeçarit, policia arreston dy punonjës të firmës
Policia e Vlorës ka bërë lëvizjet e para në lidhje me aksidentin tragjik, që i mori jetën një të riu 17-vjeçar.
Në një njoftim zyrtar policia e qytetit bregdetar njoftoi në mesnatë se ka arrestuar dy punonjës të firmës “Xh & M Sh.p.k”, që kryente punimet në rrugën Skelë-Ujë i ftohtë.
Në pranga kanë përfunduar: Ilirian Tahmazi, me detyrë Përgjegjës i Sigurimit Teknik dhe Tomorr Cena, me detyrë Inxhinier Zbatues i Projektit. Ata akuzohen për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”.
Dy ditë më parë, një BMW X6 në timonin e të cilit ishte Petro Bego 21 vjeç dhe pasagjer kushëriri i tij Kristo Panajoti, ka rënë në një kanal të hapur nga punimet që po kryhen për projektin e “Lungomares”.
Nga ky aksident Kristi Panajoti humbi jetën si pasojë e dëmtimeve të marra. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shpejtësia e madhe dhe errësira në rrugë ka bërë që shoferi të humbasë kontrollin e makinës./tvklan.al