Aksidenti me dy të vdekur, arrestohen drejtuesit e automjeteve
Një ditë pas aksidentit tragjik, me dy të vdekur dhe 3 të plagosur, policia e Korçës ka arrestuar dy drejtuesit e mjeteve.
Në pranga ka përfunduar gardiani i burgut të Drenovës, N.A, 54 vjeç, i cili drejtonte automjetin tip “Skoda”, me targë AA 251 FX dhe 22-vjeçari Neki Taipi, që drejtonte furgonin, me targë AA 519 FX. Ata akuzohen për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Pasditen e së mërkurës dy automjetet u përplasën në rrugën nacionale Korçë – Bilisht, pranë kryqëzimit të fshatit Plasë.
Furgoni i mallrave u përplas me autoveturën, ku po udhëtonin 4 policë të burgut të Drenovës. Ata nuk ndodheshin në shërbim, por po ktheheshin nga ceremonia e varrimit të një kolegu të tyre.
Viktima në këtë aksident mbetën: Fatmir Islamaj dhe Agim Beshi. Nuk dihen saktësisht shkaqet e aksidentit, por paraprakisht dyshohet që shkak të jetë bërë një manovrim i gabuar i makinës ku po udhëtonin policët e burgut të Drenovës./tvklan.al