Aksidenti në plazhin e Ksamilit, i dyshuari mund të lirohet
Ermal Fataj, i arrestuar për aksidentin në plazhin e Ksamilit ku mbeti e vdekur turistja 15 vjeçare ruse Ksenia Riok mund të lirohet ditë e mërkurë.
31-vjeçarit në datën 6 Shtator i mbaron afati i masës së sigurisë prej 45 ditësh burg vendosur nga gjykata e Sarandës në datën 24 Korrik.
Prokuroria e qytetit bregdetar, e cila po heton rastin është në vështirësi, pasi ende nuk ka marrë raportin e ADN-së nga laboratori i policisë shkencore, për të provuar fajësinë e Fatajt.
Eksperteve kriminalistik duhet të krahasojnë disa fije floku të gjetura ne helikat e skafit te 31-vjeçarit për t’i krahasuar me flokët e viktimës.
Vetëm pas krahasimit shkencor Prokuroria do të kishte ne dore faktin për fajësinë e të riut.
Por në kushtet kur përgjigja ende nuk ka mbërritur Prokurorisë do t’i duhet argumente të tjera ligjor për te kërkuar nga Gjykata shtyrjen e afateve të paraburgimit.
Deri tani, burime të Prokurorisë thonë se rrethanat nuk kane ndryshuar dhe hetuesit nuk kanë mundur te gjejnë prova të reja.
Mbetet për tu parë se cili do të jetë hapi tjetër i akuzës, pasi deri tani, në zyrën e prokurorit te çështjes ende nuk ka mbërritur raporti i ADN-së.
Shkak për vonesën e analizës u bë djegia e një llampe në pajisjes që kryen krahasimin . Në datën 11 Gusht policia e shtetit bëri të ditur se pajisja u rregullua dhe se analiza do të kryhej. Kanë kaluar 26 ditë dhe analizat e ekspertizës i mungojnë dosjes së prokurorit.
Tv Klan