Aksidentohen punëtorët e një pallati, problem sigurimi teknik në punë – (11 Nëntor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Moszbatimi i rregullave të sigurimit teknik, ka shënuar një tjetër incident tek punëtorët, që punojnë në firmat e ndërtimit. Ky pallat 11 katësh, ndërtohet nga firma Besart dhe sot pasdite, rreth orës 15:30, hekurat mbajtës të skelave të suvatimit janë shkëputur, duke rrezikuar jo vetëm jetën e 12 punëtorëve që punon këtu, por edhe të banorëve të apartamenteve përreth.
Të 12 punëtorët, të cilët brenda pak minutave janë gjendur në tokë, janë aksidentuar lehtë, ndërkohë që një djalosh 24 vjeçar është shtruar menjëherë në spital në gjendje tepër të rëndë. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë së komisariatit nr.2, të cilët kanë rrethuar vendin përqark pallatit për të shmangur incidentin e mëtejshëm.
Në këtë pallat punojnë më shumë se 20 punëtor jashtë të gjitha kushteve dhe rregullave të sigurimit teknik. Por në Tiranë janë me dhjetëra firmat e ndërtimit që nuk kanë siguruar ende jetën e punëtorëve të tyre, duke rritur çdo ditë rrezikun. As nga policia ndërtimore nuk janë vendosur sanksione ndaj ndërtuesve, që nuk zbatojnë rregullat e domosdoshme të sigurimit teknik në punë./tvklan.al