Aksioni i policisë rrugore për furgonët pa licencë – (31 Mars 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Furgonat taksi në kryeqytet kanë qenë sërish sot në objektivin e policisë rrugore. Problemi më i madh i policëve, furgonat, nuk po merr ende rrugë. Shërbimi i tyre edhe pse i paligjshëm është një faktorë më shumë në ndërlikimin e trafikut në Tiranë. Megjithatë sot policia rrugore, ka pasur si qëllim vetëm kontrollin për patentën e duhur dhe licencën si taksi.
“Ky është një veprim që policia rrugore e ndjek në vazhdimësi, por në mënyrë të veçantë gjatë ditës së sotme dhe gjatë ditëve në vazhdim, do të goditen të gjithë mikrobusët, të cilët punojnë me licencë apo pa licencë në Tiranë. Nga ana e policisë rrugore, po goditen të gjithë ato mjete të cilat janë të pa licencuar dhe në mënyrë të veçantë ato drejtues mjetesh, që janë pa patentën përkatëse. Janë bllokuar dhe janë gjobitur një sërë mjetesh”.
Problemi i furgonave taksi, sipas vetë drejtuesve të policisë rrugore të Tiranës, nuk zgjidhet brenda një dite, por të paktën të vihet një farë kontrolli dhe për këtë kërkohet edhe ndihma e policisë tatimore, përsa i përket licencave. Ndalimi i disa dhjetëra furgonëve taksi, për mungesë dokumentacioni është hapi i parë i ndërmarrë për një disiplinim në trafikun e zhurmshëm të kryeqytetit./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj