Aktivitet kriminal në Itali, prokuroria i sekuestron 9 apartamente
Nëntë apartamente janë sekuestruar nga Prokuroria për Krime të Rënda. Apartamentet janë të regjistruara në bulevardin kryesor të Durrësit, emër të 22-vjeçarit Arlind Kalaja.
Organi i akuzës thotë se ka dyshime të arsyeshme se janë krijuar në bazë të burimeve të paligjshme dhe kriminale të babait të tij, Fatmir Kalaja.
Fillimisht, hetimi ndaj tyre ka nisur nga Prokuroria e Durrësit, në muajin Prill të vitit 2016. Në atë kohë kishte informacione se këta shtetas kanë qarkulluar shuma të konsiderueshme parash në llogaritë e tyre bankare.
Më tej, hetimi iu dërgua Prokurorisë për Krime të Rënda. Deri në këtë fazë të hetimit, Prokuroria ka krijuar dyshime të arsyeshme se Fatmir Kalaja ka përfituar shuma të konsiderueshme parash në Itali, ku është procedurar për vepra penale vjedhje, vrasje me dashje, pezullim të patentës për drejtim mjeti.
Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshimet se të gjitha këto pasuri të paluajtshme (9 apartamente me vlerë të deklaruar në kontrata rreth 260 mijë euro) dyshohet se janë fituar nga 22-vjeçari Arlind Kalaja, si rezultat i përfshirjes së tij në aktivitetin e pastrimit të parave, që rrjedhin nga aktiviteti kriminal i babait të tij të dyshuarit tjetër Fatmir Kalaja.
Sipas organit të akuzës, përveç informacioneve të ardhura nga shteti italian, është vërejtur që këto apartamente u blenë në një kohë shumë të shkurtër brenda dy muajve të vitit 2014.
Mungesa e të ardhurave të ligjshme (duke mos patur asnjë aktivitet ekonomik në Shqipëri, shumat e parave që kanë qarkulluar në banka, në format e kreditimit dhe debitimit), moshën e re të Arlind Kalasë, vetëm 20 vjeç në kohën e përfitimit të pasurive, shtojnë dyshimet mbi burimin e të ardhurave të të dyshuarit Arlind dhe babait të tij, të dyshuarit tjetër Fatmir Kalaja./tvklan.al