Aktivitetet kulturore në vend (28 Nëntor 1999)
5.3 milionë lekë të reja për pavionin e ikonografisë shqiptare. Kanë vazhduar dhe sot aktivitetet për nder të festës së 78 vjetorit të Pavarësisë dhe 55 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë. Është përuruar sot ky pavion i ri në Muzeun Historik Kombëtar ku janë ekspozuar disa nga veprat më të spikatura të artit ikonografik shqiptar që nga shekulli i 15 me të ashtuquajturën shkolla e Onufrit dhe deri në shekullin e 19 me ikonat e Mihal Anagnostit. Në përurimin e tij morën pjesë Presidenti Mejdani, Kryeministri Meta, Ministra, deputetë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik.
Është ekspozuar dhe epitafi i Gllavanicës punim i shekullit të 14-të. Sipas Ministrit të Kulturës Rama, ky pavion është hapi i parë i një rikonstruksioni total që do pësojë Muzeu Historik. Po sot në Galerinë Kombëtare të Arteve është përuruar ekspozita “Rruga e Kosovës së Lirë” ku janë paraqitur fotografi të ditëve të vështira të Kosovës, pamje nga lufta e formacioneve të UÇK-së dhe dita e marshimit të fitimtarëve. Të gjitha këto foto janë ndarë në 6 cikle të cilat paraqesin momente të panjohura fiksuara nga aparati fotografik i gazetarëve të radios ” Kosova e lirë”.
Sipas Zëvëndësministrit të Kulturës të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Nusret Pllana, një nga autorët e ekspozitës, ky ishte kontributi modest për festat kombëtare. Me koncertin “Lamtumirë shekulli 20” kanë përfunduar sot pasdite aktivitetet kulturore me rastin e shpalljes së pavarësisë dhe çlirimit të vendit. Koncerti është hapur me Himnin e Flamurit, dirigjuar nga Dhora Leka, dirigjentja e orkestrës së parë krijuar pas luftës. Më pas ky aktivitet ka vazhduar me pjesë orkestrale me autorë të ndyshëm vendas e të huaj si dhe këngë dhe valle nga repertori i vendit tonë./tvklan.al