Aktori Arqile Lipe flet me nostalgji për vitet e arta të estradës së Fierit (Emisioni 13 – Sezoni 1 )


Aktori Arqile Lipe flet me nostalgji për vitet e arta të estradës së Fierit (Emisioni 13 – Sezoni 1 )

Autori: Pamela Jonuzi

14:31 29/03/2009

Histori me zhurmues – Në vitin 1981 estrada e Fierit ishte në kulmin e humorit shqiptar. Mjafton të këndohet refreni i parodisë “Rrofsh o Malo që na ftove” dhe menjëherë në mendje të vjen aktori Arqile Lipe. Përmes emisionit “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço aktori kujtoi vitet e arta të estradës së Fierit.

“Në atë kohë pagesa më e madhe për mua ka qenë respekti që më ka dhënë spektatori. Në atë kohë mua nuk më thërrisnin me emrin Arqile, të gjithë më thërrisnin Malo. Të flasësh për estradën e Fierit dhe Pëllumb Kullën është pak për mendimin tim. Mendoj shpesh sa Çmime Oskar do merte Pëllumb Kulla? Unë kam filluar sapo u lirova nga ushtria, kam qenë djalë me humor dhe i shkathët. Nuk u nisa për t’u bërë artist, vajta si kaldaist, si hidraulik. I madhi Isuf Maloku ishte shef i muzikës dhe tha: Më duket djalë me humor ky kaldaisti. Unë i thash: Kam një emër.

Vjen Pëllumbi nga Vlora dhe më pyet:  Ke dëshirë të të aktivizoj?

Dhe më aktivizoi tek premiera e parë që quhej Revista, u dha 30 netë rresht dhe roli im i parë ishte për bakshishet e berberëve.

Ne kishim edhe një spektator të mrekullueshëm, unë di që nuk kam dhënë asnjë shfaqje me sallën bosh apo me 100 veta. Di që nga Saranda në Shkodër kanë qenë të gjitha sallat plot në çdo qytet.  Personazhi që unë kam patur më shumë përzemër ka qënë një që nuk u dha për arsye se ne u lidhëm me Kinën, ishte një personazh kinez. Mësuesi i parë për mua ka qenë Pëllumb Kulla.

Turnetë që zhvillonim në qytete zhvilloheshin edhe në fashat, kemi dhënë shfaqje në fshatra edhe përpara tre vetave. Por unë di që kam punuar me shumë qejf dhe me shumë rregullsi. Nga ato vite më mungon shumë skena. E bisedoj edhe me shokët dhe kam thënë që nuk do rri pa dalë edhe një herë në skenë”, tregoi Lipe.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al






Të ngjashme