Aktori Hollivudian Dagllas në Shqipëri – (12 Tetor 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Megjithëse aktor me famë botërore, Dagllasi, dy ditët e qëndrimit në Shqipëri është detyruar të flasë dhe të hyjë mjaft thellë në problemin e armëmbajtjes. Pas ndalesës së parë në Gramsh dhe pasdites së mbushur me kulture, dita e fundit e qëndrimit në Shqipëri ka rezervuar takime me krerët e shtetit e të qeverisë të caktuara më parë në axhendën e tij.
Dagllasi sot në takimin me Presidentin Mejdani, ka vleresuar energjinë pozitive të qytetarëve shqiptarë të Gramshit dhe zonave të tjera të vizituara prej tij. Ai ka shprehur gadishmëri për të vazhduar impenjimin e tij në favor të procesit të çarmatimit. Populli amerikan është i mrekulluar i tha Dagllas Mejdanit me atë çka bërë Shqipëria gjatë krizës kosovare dhe ka qenë pikërisht Kosova ajo që krijoi mundësinë për të njohur dhe Shqipërinë.
Edhe në takimin me Kryeministrin Majko është folur për çarmatimin. Dagllasi i ka kujtuar filmat e tij Kryeministrit si një sekuencë të shkurtër që nuk përmbledh dot të gjitha problemet e jetës. Nga të dy krerët e shtetit shqiptar është cilësuar si e rëndësishme rinndërtimi i shpresës tek qytetarët shqiptarë të prekin me dorë atë çka i është premtuar.
Para ikjes pati një takim me gazetarët shqiptarë ku edhe këtu shumë pyetje ishin për çarmatimin më shumë se sa për atë si aktor. Ministri i Kulturës Rama i ka treguar gazetarëve premtimin e bërë nga Dagllas, ndërmjetës në këtë rast për një koncert të Xho Kokerit në Shqipëri./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti