Aktori Kadri Roshi feston 75 vjetorin e lindjes (04 Janar 1999)
Festimi i 75 vjetorit të lindjes së aktorit Kadri Roshi bëri që të mblidheshin të gjithë aktorët e kinematografisë shqiptare. Kadri Roshi është aktori që shkëlqen me 54 vjet jetë aktoriale, me 170 role dhe me dashurinë e jashtëzakonshme të miliona shqiptarëve.
I lindur 75 vjet më parë në Ballsh, jetim, hamall e çirak në Durrës, portier kinemaje në Tiranë, në vitin 1945 fati e çon të trokasë në dyert e Teatrit Kombëtar. Pionier i orëve të para në Teatër ai ngjit shkallët e lavdisë dhe bëhet një pasuri e vyer kombëtare. TV Klan i uron atij jetë të gjatë dhe shumë suksese.
” Më takon të falenderoj të gjithë miqtë, dashamirësit e mi që s’janë këtu, që më kanë nderuar në mënyrë të jashtëzakonshme me telegrame, me telefonata, me letra, brenda dhe jashtë, sidomos jashtë Atdheut. Ju jam mirënjohës dhe unë mirënjohjen e çmoj mbi çdo gjë tjetër, ashtu si urrej mosmirënjohjen. Ju faleminderit shumë, paça ymer që t’jua shpërblej. Faleminderit KLAN-it se ata ishin të parët që e bënë këtë punë.“- është shprehur Kadri Roshi./tvklan.al