Policia përgënjeshtron Nuhun
Policia ka dhënë një tjetër version për akuzat e ish-oficerit të saj Emiljano Nuhu. Ajo ka hedhur poshtë pretendimet e ish-efektivit se në datën 21 Korrik 2018 është kërcënuar në zyrën e tij, nga disa persona mes të cilëve deputetët socialistë Rrahman Rraja dhe Taulant Balla dhe kryebashkiaku i Krujës Artur Bushi.
“Në datë 21 Korrik 2018, oficeri Nuhu nuk ka qenë fare në detyrë, ashtu siç pretendon në intervistë. I gatshëm në datën 21 Korrik 2018 dhe që ka kryer veprimet ka qenë një tjetër punonjës policie, me iniciale G.Ç. Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se asnjë nga shtetasit e pretenduar në deklarimet mediatike të oficerit Nuhu, se e kanë kërcënuar, nuk kanë hyrë në ambientet e komisariatit siç pretendohet prej tij”.
Më tej në sqarim thuhet se Nuhu në deponimin në komisariat nuk ka përmendur personat të cilëve u referohet në intervistë.
“
Në kallëzimin e tij, ku pretendon se është kërcënuar, Emiljano Nuhu i referohet vetëm 2 shtetasve të cilët sipas tij, i janë prezantuar si të afërm të autorit të dyshuar që ka kryer përndjekjen, por nuk përmend asnjë prej emrave që deklaron sot në intervistën në media. Emra, të cilët në asnjë rast nuk i ka përmendur në komunikimet me eprorët e tij”.
Policia nuk flet as për kërcënime, pasi sipas saj Nuhu njihej me dy nga personat që përmend.
“Takimi mes oficerit Emiljano Nuhu dhe shtetasit e pretenduar R.Rr. dhe R.Rr. në një lokal në Tiranë ka ndodhur. Komunikimet e kryera midis tyre përmes aplikacionit ‘Whatsapp’ kanë qenë miqësore dhe pa kërcënime”.
Nga verifikimet e policisë ish-efektivi ka kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme drejt Kosovës, ndërsa në datë 15 Shtator 2018 ka udhëtuar drejt Italisë me avionin e linjës Prishtinë –Verona.
Tv Klan