Akuzat e PD kundër Artan Didit për vrasje


Akuzat e PD kundër Artan Didit për vrasje

17:13 16/05/2014 Per DidinPak ditë më parë, opozita shqiptare  në një nga seancat e komisionit hetimor parlamentar për lëvizjet në policinë e shtetit, akuzoi drejtpërdrejt drejtorin e përgjithshëm aktual të policisë Artan Didin, se është autor i vrasjes se  shtetasit grek, Jorgos Kuluris. Bëhet fjalë për ngjarjen e datës 29 Maj 1999, ku autobusi i marrë peng nga shtetasi shqiptar Flamur Pisli, në Selanik, u ndalua në rrethimin e bërë nga policia shqiptare në rrugën kombëtare, në Qafë - Krrabë.

Për të vërtetuar këtë akuzë deputeti demokrat, Flamur Noka, paraqiti një video  ku tregohet qartë, se si një oficer policie civil i afrohet derës së autobusit që po hapej, dhe sapo shtetasi grek Jorgos Kuluris po zbriste, ai qëllohet me disa  breshëri nga oficeri shqiptar, i cili më pas tërhiqet. Sipas deputetit Noka, vrasja e shtetasit grek, është bërë pasi më parë ishte ekzekutuar me snajpër edhe pengmarrësi, shtetasi shqiptar Flamur Pisli. Që prej dites kur opozita akuzoi direkt kryepolicin aktual Artan Didi, për këtë ngajrje, ky i fundit nuk ka bërë asnjë sqarim, për ta mohuar ose sqaruar se kush ishte pozicioni tij në këtë ngjarje.

I vetmi që ka folur është ministri brendshëm, Saimir Tahiri, i cili në një deklaratë në parlament la të kuptohej se Didi edhe mund të ishte autor i vrasjes së pengut grek, dhe kjo mund të ndodhë sërish nëse është e nevojshme nga çdo polic.

Një tjetër eksponent i mazhorancës, deklaroi se ndaj Didit, nuk ka një akuzë dhe se pozicioni i tij është sqaruar nga drejtësia që kur ka ndodhur ngjarja.

Por, si qëndron e verteta…

Burime zyrtare të Prokurorisë dhe Gjykatës së Elbasanit, që asokohe hetoi ngjarjen, pohuan për ne se në fakt asnjë seancë gjyqësore nuk është zhvilluar për këtë ngjarje. Prokuroria e Elbasanit, i pat mbyllur hetimet për këtë ngjarje ku mbetën të vrarë dy shtetas, me arsyetimin se dëshimtari kryesor, shtetasi grek Jorgos Kuluris, kishte vdekur. Dhe në një situatë të tillë, hetimet u mbyllën.

Nuk u hetua, as se kush dha urdhër për ekzekutimin e pengmarrësit Flamur Pisli, me snajpër nga forcat RENEA, pse u dha ky urdhër, kush ishte oficeri i policisë civili që qëlloi mbi shtetasin grek Jorgos Kuluris, ku përfunduan 50 milionë dhramitë, që autoritetet greke i patën dhënë Flamur Pislit ndërkohë që autobusi ndodhej ende në territorin e vendit fqinj.

Ekspertiza zyrtare e policisë së shtetit, e asaj kohe ka disa pasaktësi.

Policia deklaroi se Flamur Pisli u vra në shkëmbim zjarri me  forcat e rendit, kur në të vërtetë edhe nga vetë pamjet  filmike të vendit të ngjarjes, shihet qartë se ka vetëm një shenjë plumbi në xhamin e përparme të autobusit, që korrespondon me goditjen e snajpërit të policisë. Gjithashtu policia shqiptare asokohe, deklaroi se shtetasi grek Jorgos Kuluris u vra nga pengmarrësi Pisli. Por pamjet, tregojnë se shtetasi grek u qëllua nga oficeri i policisë shqiptare sapo hapet dera e autobusit.

Të gjitha këto fakte të reja, tregojnë se dosja e mbyllur nga prokuroria e Elbasanit në majin e 1999, është e pasaktë dhe fsheh të vertetat e këtij operacioni policie aspak profesionist, që perfundoi me vrasjen e dy personave.

Fakti, që opozita shqiptare vë gishtin tek drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Artan Didi, si oficeri që qëlloi mbi shtetasin grek, do të thotë se hetimet e prokurorisë në atë kohë, kanë qenë të mangëta dhe ndoshta një rihetim i ri, do zbardhte këtë ngjarje që gjithsesi për momentin mund të quhet ende e pazbardhur.

Tv Klan





Të ngjashme