Akuzat e Sokol Koçiut ndaj Prokurorisë së Tiranës (7 Shkurt 2001)


Akuzat e Sokol Koçiut ndaj Prokurorisë së Tiranës (7 Shkurt 2001)

11:42 09/02/2001

Vetëm pak ditë pas kapjes së rrjetit më të fundit të drogës me protagonistë dy shqiptarët Arben Përballën dhe Frederik Duda, sot është publikuar në një të përditshme shqiptare se vëllai i Arben Përballës ka fituar tenderin prej 1,5 milionë dollarësh për instalimin e rrjetit kompjuterik në Prokurorinë e Përgjithshme. Zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme Ardjan Visha, sqaron:

“Nuk ka të vërteta përsa i përket shifrave të përmendura dhe faktit që ky tender është bërë për instalimin e rrjetit kompjuterik të Prokurorisë. E vërteta është që shuma është shumë e vogël, rreth 500 milionë lekë të vjetra të paguara dhe është për pajisje, për kompjutera jo për rrjetin në vetvete.”

Akuza është bërë nga Sokol Koçiu, ish punonjës në Prokurorinë e Tiranës i cili që pas shkarkimit nga detyra si oficer i policisë gjyqësore, ka akuzuar nëpërmjet shtypit dhe kreun e shërbimeve sekrete, Fatos Klosi si dhe ish drejtorin e Hetimit të Përgjithshëm Agim Tirana. Sokol Koçiu deklaron se nuk u është komunikuar zyrtarisht shkarkimim, por zëdhënësi Visha përgjigjet:

“Ai është shkarkuar që ditën e shtunë dhe është komunikuar nëpërmjet telefonit shkarkimi i tij. Mendoj se pikërisht ky reagim i tij duke qenë jo logjik dhe në thelb i papërgjegjshëm lë shteg për të hetuar lidhur me fakte të tjera apo rrethana të tjera që kanë të bëjnë dhe me çeshtje që ju më pyetët në fillim, pra dhe me arrestimin e kryetrafikantëve të drogës në Shqipëri. Fakti që zoti Koçiu ndodhej në makinën e njërit prej tyre, lë shteg për dyshime dhe padyshim që pozita e tij do të hetohet.”

“Rasti Koçiu” po tërheq vëmendjen jo më tepër për lidhjet e tij me trafikantin Përballa, por me një fenomen i cili sa po vjen dhe po shtohet tek ne. Njerëz të veshur me pushtet, sapo akuzohen për lidhjet e tyre me njerëz të inkriminuar apo sa shkarkohen nga detyrat, akuzojnë direkt krerët e institucioneve ku punojnë për një implikim të tyre të çeshtjeve të drejtpërdrejta të drejtësisë shqiptare dhe kjo hedh dyshimin mbi vërtetësinë e këtyre akuzave të cilat publikohen vetëm kur çeshtja merr karakter personal./tvklan.al

Gazetare: Mirela Milori






Të ngjashme