Akuzat e Speciales, gazetarja tregon detaje: Thaçi, Veseli e Selimi pritet të nisen drejt Hagës


Akuzat e Speciales, gazetarja tregon detaje: Thaçi, Veseli e Selimi pritet të nisen drejt Hagës

16:32 05/11/2020

Gazetarja e TV Klan në Kosovë, Blerta Dalloshi Berisha, ka treguar detaje rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë pas dorëheqjes së Presidentit Hashim Thaçi. Në një lidhje direkte me edicionin e lajmeve, Berisha tha se të akuzuarit nga Gjykata Speciale do të nisen shumë shpejt drejt Hagës.

Cilat janë zhvillimet më të fundit dhe a u nisën drejt Hagës, Thaçi dhe Veseli?

Po, rreth orës 15 e 10, me vetura të Eulexit kanë arritur këtu Thaçi, Veseli e Selimi në aeroportin ushtarak në Halilaq të Sllatinës. Derisa pritet në çdo moment që të nisen drejt Hagës, ata kanë arritur me 7 vetura të Eulexit, të cilat ishin nën përcjellje të Policisë së Kosovës. Sigurisht nuk ka pasur deklarata për media këtu dhe nuk pritej një gjë e tillë, dhe në çdo moment po presim që të nisen drejt Hagës.

Çfarë pritet të ndodhë pas dorëheqjes së Presidentit, vendin e të cilit përkohësisht e ka marrë Kryetarja e Parlamentit Vjosa Osmani?

Po Vjosa Osmani, do të jetë si ushtruese e detyrës së Presidentit tash e tutje, deri në zgjedhjen e Presidentit të ri. Ajo nuk mund të qëndrojë në këtë post më shumë se 6 muaj, kështu që Lidhja Demokratike e Kosovës ka thirrur një mbledhje urgjente dhe pritet që në ditët në vazhdim Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bashkë me Nismën, të gjejnë një zgjidhje për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës.

Ndërkohë që deri tani, dihet që pretendimet, ambiciet për këtë post i ka shfaqur kreu i AAK-së Ramush Haradinaj. Janë disa opsione në tavolinë, është mundësia që të futet në qeveri Partia Demokratike e Kosovës dhe President të jetë Ramush Haradinaj por janë edhe opsione të tjera dhe emra të tjerë të Partisë Demokratike të Kosovës, nga e cila mund të zgjidhet një President ose mund të shkojë me një emër konsensual jashtë politikës, që të zgjidhet Presidenti i ri. Mbetet të shihet në vazhdim.

Ndërkohë për Lëvizjen Vetëvendosje, thonë se zgjedhjet janë opsioni më i mirë në mënyrë që të zgjidhet Presidenti dhe qeveria e re./tvklan.al






Të ngjashme