Akuzat ndaj gjyqtarit, Tahiri pyetet në Prokurori
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u ka qëndruar deklaratave që ka bërë ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj edhe në Prokurori.
Ai u mor në pyetje për afro1orë nga prokurorët Adan Xholi e Altin Binaj, pas kallëzimit të bërë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Pas daljes nga Prokuroria Tahiri, sqaroi se nuk mund të heshtë para një drejtësie të korruptuar.
Për këtë hetimin në ditët në vijim Prokuroria do të pyesë edhe gjyqtarin Arjan Aliaj. Ministri Tahiri e akuzoi atë se kishte liruar disa të arrestuar për krime të rënda, pasi gjyqtari vendosi të pezullojë nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policissë së shtetit Haki Çakon për pajisjen e përgjimit, një vendim që u hodh më pas poshtë nga Gjykata e Apelit.
Fjala e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri:
“Unë këtë e quaj shenjë më kuptimplotë të asaj që përfaqëson sot, jo vetëm gjyqtari Arian Aliaj, por e gjithë ajo pjesë e sëmurë e sistemit të drejtësisë që duhet adresuar patjetër, nëpërmjet Reformës në Drejtësi. Por deri kur të miratohet Reforma në Drejtësi, mua nuk do të më ndalojë asgjë të denoncoj me sa kam fuqi emër për emër çdo gjyqtar që në konsideratën time, të strukturave të policisë, të qytetarëve shkelin ligjin dhe bëjnë krim me vendimin e gjykatave.
Unë jam shumë i bindur që nuk mund të bëj gjë më shumë në detyrën time sesa të reformoj policinë nga njëra anë, por nga ana tjetër të ndalojmë që gjyqtarë të korruptuar dhe palaço në sistemin e drejtësisë të nxjerrin jashtë kriminelë dhe të bëjnë pazare me pronat e qytetarëve. Unë këtë nuk e duroj dot, nuk kam për ta duruar kurrë, nuk kam për të heshtur kurrë, do flas gjithmonë sa herë të gjendem para paligjshmërisë dhe nuk do më ndalojë asnjë padi.
Këshilli i Lartë i Ndrikullave mundet fare kollaj të merret me mua gjithë ditën. Unë besoj që nderi më i madh që do i bënin vetes do jetë dita kur të kuptojnë se reforma në sistemin e drejtësisë do jetë mënyra më e mirë për t’i dhënë dorën gjyqtarëve të ndershëm që nuk janë pak, dhe për të hedhur në koshin e plehrave gjyqtarët e korruptuar dhe ata banditë që sot nën pelerinën e sistemit të drejtësisë bëjnë krime me pronat, shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
U njohët dje me një vendim gjykate për personin që në një aksident la pa jetë një grua, nënë e dy fëmijëve, në mes të Tiranës. Ky person mund të ishte fare mirë në burg dhe aksidenti do shmangej. Nëna do ishte sot në jetë. Sepse ishte një person i arrestuar nga policia, për shkak se donte të korruptonte policinë. Ja pra, ky është prap një rast, që tregon se si gjyqtarë të korruptuar lënë viktima në rrugë, se si gjyqtarë banditë lënë viktima në rrugë, shkaktojnë pasoja të rënda për sigurinë në këtë vendin”, ka thënë Tahiri./tvklan.al