Alarmi “i rremë” për rrezatim shkakton frikë në Rusi
Banorët e rajonit Yaroslavi në Rusi kanë qenë nën panik pasi një televizion lokal dhe disa radio dhanë alarmin për rrezik nga rrezatimi, por Ministria e Situatave Emergjente ka thënë se paralajmërimi ka qenë gabim.
Njoftimi i incizuar paraprakisht, që u transmetua rreth orës 9 në mëngjes, i ka alarmuar banorët, të cilët u njoftuan për nivel të lartë të rrezatim në atmosferë në rajonin që ndodhet rreth 250 kilometra në verilindje të Moskës.
Njerëzve u kërkua që ta mbrojnë veten e tyre, t’i mbyllin shtëpitë e zyret dhe të qëndrojnë brenda, dhe ta sigurojnë ushqimin dhe ujin nga kontaminimi i shkaktuar nga rrezatimi.
Dega rajonale e Ministrisë së Situatave Emergjente, ka sqaruar përmes një komunikate se një problem teknik ka shkaktuar transmetimin e paralajmërimit “të rrejshëm”.
Përmes komunikatës, u kërkua nga banorët që të “jenë të qetë” dhe se nivelet e rrezatimit “janë brenda normave”.
Yevgeny Shumilin, një zyrtar rajonal i emergjencave, ka thënë se autoritetet janë duke e hetuar se çfarë e ka shkaktuar paralajmërimin që të transmetohet./REL