Alarmi për shkrirjen e akujve, miliona njerëz do të humbin shtëpitë
Miliona njerëz anekënd globit do të detyrohen të braktisin shtëpitë e tyre brenda disa dekadash si pasojë e rritjes së nivelit të deteve pas shkrirjes së akujve, paralajmëron një ekspert në revistën e njohur “Science”.
“Faktet janë kokëforte: Toka po humb akujt!”
Akullnajat anekënd botës po zhduken dhe kjo duhet të jetë burim shqetësimi për të gjithë botën. Një prej pasojave të shumta të kësaj situate do të jetë edhe detyrimi i miliona njerëzve të braktisin shtëpitë e tyre, teksa pasoja të pariparueshme do të ketë edhe për ekosistemin e florës dhe faunës, shkruan Dr Twila Moon nga Universiteti i Kolorados. Shërbimi Gjeologjik i SHBA-ve ka raportuar se Parku Kombëtar i Akullnajave në Montana ka humbur më shumë se 120 akullnaja në shekullin e fundit. Moon thotë se kjo është një tablo që po përsëritet në të gjithë botën, nga Antarktida në Patagoni, nga Kilimanxharo në Himalaje, nga Grenlanda në Arktik. Një pjesë e madhe e kësaj katastrofe, sipas saj, është rezultat i ndryshimeve klimatike si pasojë e aktiviteteve njerëzore. Ajo paralajmëron se nëse nuk merren masa të menjëhershme dhe të përgjegjshme, “ne do ta shikojmë detin teksa përpin rrugët e Majamit...Dhe këtë mund ta shikojmë tek ndodh për dekada, shekuj e mbase edhe mijëvjeçarë.
” Sipas parashikimeve, 52 për qind e akullnajave në Zvicër do të shkrihen brenda 25 viteve të ardhshme, teksa Kanadaja perëndimore do të humbë më shumë se 70 për qind të akullnajave deri në vitin 2100. Moon thotë se miliona prej atyre që sot janë fëmijë do të detyrohen të braktisin shtëpitë e tyre si pasojë e rritjes së niveleve të deteve. Shkencëtarja parashikon se niveli i deteve në botë mund të rritet deri më pesë metra, por ajo thotë se është e vështirë të parashikohet se sa shpejt do të shkrijnë akujt. Edhe pse mund të mos duket një rritje e madhe, ajo thotë se lëvizja e deteve me një ose dy metër mund të hiqte nga harta shumë ishuj dhe qytete bregdetare./tvklan.al