Aldo Ymeraj, hakeri shqiptar në vjedhjen e 530 milionë Dollarëve


Aldo Ymeraj, hakeri shqiptar në vjedhjen e 530 milionë Dollarëve

15:39 13/02/2018

Aldo Ymeraj u arrestua nga policia për llogari të autoriteteve amerikane, si anëtar i një rrjeti hakerash që kanë mundur të vjedhin plot 530 milionë Dollarë nga llogari të ndryshme bankare.

25-vjeçari nga Fieri është mes 36 të personave të akuzuar, 13 prej të cilëve u arrestuan në Shtetet e Bashkuara, Australi, Britani, Itali, Serbi e Kosovë, në operacionin e koduar me emrin “Infraud”. Dy janë hakerat nga Kosova, të identifikuar si Besart Hoxha 25 vjeç dhe Liridon Musliu 26 vjeç.

Aldo Ymeraj, që jeton në një apartament në katin e gjashtë të pallatit në lagjen “Konferenca e Pezës” në Fier, është ndaluar nga policia shqiptare edhe në vitin 2013. Pesë vjet më parë ai u akuzua për përfshirje në veprimtari kriminale në fushën kibernetike.

Ymeraj, që ka studiuar pikturë në shkollën artistike ‘Jakov Xoxa’, e kishte bazën në Fier, aty ku policia po ushtron kontrolle në përpjekje për të gjetur sa më shumë prova. Me prindër të divorcuar, djali i pronarit të një shtypshkronje, ai punonte herë pas herë në biznesin e të atit. Grupi “Infraud”, në të cilin bënte pjesë, ishte krijuar në vitin 2010 nga Svyatoslav Bondarenko, një 34-vjeçar ukrainas i zhdukur tashmë.

Hakerat përdornin një forum në internet për të blerë dhe shitur karta krediti dhe llogari bankare të vjedhura, numra të sigurimeve shoqërore dhe informacione të tjera personale. Ata u injektonin viktimave virusë në kompjuter e celularë dhe u merrnin të dhënat. Forumi numëron 11 mijë anëtarë në të gjithë botën.

Sipas hetuesve amerikanë, kjo organizatë kishte grabitur në total të dhëna nga 4.3 milionë llogari bankare. Me valën e fundit të arrestimeve ra në pranga në Bangkok edhe kreu i grupit, 31-vjeçari rus Sergey Medvedev, drejtuesi i vetëm i organizatës që prej vitit 2015, pas zhdukjes së Bondarenkos.

Xhon Kronan, ndihmësi në detyrë i Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, tha se operacioni ishte një prej më të mëdhenjve të ndërmarrë ndonjëherë nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.

Tv Klan






Të ngjashme