Aleanca Demokratike dhe kryetari i ri i saj (11 Dhjetor 1999)
Ridvan Peshkëpia është zgjedhur sot me 2 të 3-at e votave të Asamblesë Liberal Demokrate, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Aleanca Demokratike. Zgjedhja e tij është bërë sot pas dorëheqjes zyrtare të Preç Zogajt nga ky post për shkak të detyrës së tij si Ministër Shteti pranë Kryeministrit pasi kjo bie ndesh me statutin e Aleancës Demokratike. Ridvan Peshkëpia i propozuar nga Presidenti i Partisë Neritan Ceka ka konkuruar përballë kandidaturës së Perikli Tetës dhe Pirro Priftit.
Perkli Teta është rikthyer në jetën aktive të Partisë Aleanca Demoraktike që nga koha kur ai zhvilloi debate të ashpra me krerët e saj kur u shkarkua nga posti i Ministrit të Rendit. Deri në momentet e fundit, emri i Gjergj Zefit ishte ai që do kandidohej me Peshkëpinë. Më pas Asambleja Liberal Demokrate ka diskutuar për rolin e kësaj partie në koalicionin Aleanca për Shtetin dhe punën e përfaqësuesve të saj në Qeverinë Meta.
Sot pasdite liberal demokratët e rinj kanë festuar 11 Dhjetorin, ditën e 9 vjetorit të pluralizmit shqiptar. Në një atmosferë festive në ambjentet e selisë së Partisë Aleanca Demokratike ata kanë rikthyer dhe një herë kujtimet e liderëve të kësaj partie. Pasditja e sotme ka vijuar në serinë e aktiviteteve të liberal demokratëve të rinj të cilët nesër do t’i rikthehen problemeve sociale në qytetin e Krujës./tvklan.al
Gazetare: Ornela Bego