Aleatët e opozitës Spahia, Ndreu e Selfo të pakënaqur me PD – (22 Prill 2001)


Aleatët e opozitës Spahia, Ndreu e Selfo të pakënaqur me PD – (22 Prill 2001)

15:54 22/04/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Aleatët e Partisë Demokratike, Spahia, Ndreu e Selfo, janë ndier të braktisur dje nga lideri demokrat Berisha, teksa u firmos memorandumi dje me Mediun, Rroqin e Laçon. Kryetari Legalist Spahia shprehet se vetëm disa orë përpara nënshkrimit të memorandumit, janë ndryshuar vendet e partisë së tij në listën shumë emërore të kandidatëve të opozitës për deputet.

Ekrem Spahia, Kryetari i PLL:- “Partia Lëvizja e Legalietit, ka kërkuar që të ketë vendin e saj në këtë opozitë dhe vendi i saj dihet se është partia e dytë opozitare dhe këtë e ka treguar në zgjedhjet e fundit. Ne arritëm një mirëkuptim mes PD dhe aleatëve të tjerë, por papritmas në momentet e fundit të nënshkrimit të memorandumit, lëvizet një vend të PLL në listën proporcionale për deputet dhe spostohet nga vendi i 7 tek vendi i 15”.

Edhe Ndreu e Selfo janë të pakënaqur me vendet që u ka ofruar PD.

Hysen Selfo, Kryetar i PBK:- “Ne ishim të mendimit së bashku me dy partitë e tjera, që paraprakisht të nënshkruhet një akt-marrëveshje. Më pas, pasi të piketohen të gjitha modalitetet, për paraqitjen tonë në zgjedhjet e ardhshme, atëherë ne do të ishim të gatshëm të nënshkruanim memorandumin”.

Ndërkohë lideri demokrat Berisha është shprehur se ofertat për Spahinë, Nderun, Selfon, por edhe për PAD e PBDNJ, mbeten të hapura./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame






Të ngjashme