Alfio dhe Noah, dy shokë në kuzhinë
Një nga shefat më të njohur të kuzhinës në Shqipëri, Alfio Rrotani, erdhi në studion e “Rudina” në Tv Klan për të folur mbi projektet e tij të reja dhe një rikthim në televizion.
Tashmë ai është bërë babai i një djali, Noah, por ndërkohë ka nisur edhe një projekt të ri, “Meat City”. Në restorantin e tij gjithçka rrotullohet rreth mishit dhe përpunimit të tij. Por po aq i rëndësishëm sa biznesi, për Alfion është e rëndësishme familja e tij me Fatma Methasanin.
Ata ndajnë shpesh foto dhe video nga jeta e tyre me Noah, i cili duket se do të ecë në hapat e babait të tij pasi i pëlqen të luajë me produktet e kuzhinës.
Rudina Magjistari: Në kuzhinë, ju ndodh që të gatuani të tre?
Alfio Rrotani: Ne jemi të pandarë, por deri tani Noah ka qenë shumë i vogël. Tani ka filluar të rritet, kupton. Kur më sheh mua që bëj ndonjë gjë, vjen direkt, merr të gjitha pajisjet e kuzhinës, më imiton mua kur përdor mikserin dhe ka qejf ta vërë në prizë, i kam bllokuar të gjitha prizat në shtëpi.
Rudina Magjistari: Atë e rekomandojnë për të gjithë prindërit, po me miell e brumë bën?
Alfio Rrotani: Ka filluar tani dhe sa më sheh mua duke bërë diçka, se natyrisht duke punuar edhe me pjesën e Instagramit dhe rrjeteve sociale, duke bërë video dhe nëse nuk vjen të më ndihmojë, fillon e qan. Kur vjen në restorant, nis me pritjen e vajzave e djemve, hyn në kuzhinë, vdes të shkojë te ekspresi.
Rudina Magjistari: Çfarë i gatuan si pjatë të preferuar që ai e ha me dëshirë dhe ti e di që është e shëndetshme?
Alfio Rrotani: Deri tani nuk është se kemi bërë shumë eksperimente, por kam filluar t’i jap proshutë cotto me patate, avokado me salmon. Ia grija të gjitha, por tani ia lë copëza të mëdha dhe është shumë i çuditshëm sepse për dy javë ha gjatë gjithë kohës të njëjtën gjë, pas dy javësh nuk do t’ia dijë më fare, është shumë kërkues dhe lodhet shumë shpejt me shijet e reja. /tvklan.al