Ambasada amerikane në Kosovë: Respektoni vendimin e “Kushtetueses”


Ambasada amerikane në Kosovë: Respektoni vendimin e “Kushtetueses”

10:26 22/12/2020

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë u ka bërë thirrje të gjitha palëve politike që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi qeverinë Hoti.

“Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje të gjitha palëve dhe institucioneve në Kosovë që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të sigurojnë se qytetarët e Kosovës kanë mundësinë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre përmes zgjedhjeve të drejta, të lira dhe të paqta”, thuhet në një deklaratë të ambasadës.

Gjykata shpalli jokushtetuese qeverinë e Avdullah Hotit. Në vendimin e publikuar mbrëmjen e të hënës thuhet se Kosova duhet të shkojë në zgjedhje jo më larg se 40 ditë.

Sipas Gjykatës Kushtetuese qeveria Hoti nuk ka marrë shumicën e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Në vendim thuhet se asnjë person që është i dënuar për ndonjë vepër penale në formë të prerë në tre vjetët e fundit nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandatin e vlefshëm në Kuvendin e Kosovës.

Qeveria Hoti kishte marrë 61 vota më 3 Qershor kur u votua përfshirë edhe votën e deputetit të pakicave Ethem Arifi, i cili më 20 Gusht të vitit të kaluar kishte një dënim të formës së prerë nga Gjykata./tvklan.al






Të ngjashme