Ambasada shqiptare në Itali pezullon shërbimet për shkak të Covid
Ambasada shqiptare në Itali është mbyllur për shkak të koronavirusit. Në një postim në rrjetet sociale njoftohet se një prej punonjësve ka rezultuar pozitiv me Covid-19.
Kështu që janë marrë masat që të dezinfektohen ambientet ndërkohë priten analizat e të gjithë punonjësve. Megjithatë ditën e nesërme ambasada jonë në Romë do t’i pezullojë shërbimet deri në një njoftim të dytë.
“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Romë njofton se nesër, datë 15 tetor 2020, Zyra Konsullore e saj pezullon përkohësisht të gjitha shërbimet. Duke kërkuar mirëkuptimin tuaj për këtë njoftim të menjëhershëm, i kushtëzuar nga identifikimi i një rasti pozitiv ndaj Covid-19, ju bëjmë me dije se po merren të gjitha masat për dezinfektimin e të gjitha mjediseve tona dhe mbetemi në pritje të rezultateve të testimeve të kryera për Covid-19, për të gjithë punonjësit e Ambasadës në Romë, në mënyrë që të rifillojmë shërbimin sa më parë dhe me masat e nevojshme të sigurisë. Brenda ditës së nesërme do të njoftoheni për rifillimin e shërbimeve”, thuhet në njoftimin e ambasadës./tvklan.al