Ambasadorët në mbledhjet e grupeve të PS dhe LSI


Ambasadorët në mbledhjet e grupeve të PS dhe LSI

15:15 10/05/2016

Ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin e kanë çelur nga selia rozë turin e takimeve të lajmëruar me grupet parlamentare të 3 partive më të mëdha ndërsa shoqëroheshin dhe nga ekspertët të OPDAT dhe Euralius që bënë rekomandimet e fundit për draftin e Reformës në Drejtësi. Diplomatët e SHBA dhe BE e kanë arsyetuar takimin e pazakontë me fatin e reformës që mban peng integrimin e vendit në unionin europian që sipas tyre është në udhëkryq. Apelin që i drejtuan deputetëve socialistë në mbledhjen me dyer të mbyllura që zgjati afro 60 minuta, Lu dhe Vlahutin e kanë përsëritur dhe në dalje.

Por kryesocialisti Rama mendon se dera e vërtetë ku dy ambasadorët duan të trokasin për t’u dëgjuar nuk është as ajo e Partisë Socialiste dhe as e Lëvizjes Socialiste për Integrim, pasi partenerët strategjik që bashkëqeverisin thotë ai kanë qenë gjithmonë konsistent për Reformën në Drejtësi.

Një arsye më shumë që Reforma në Drejtësi është emergjente sipas Ramës është dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ta shpallur të papajtueshëm me kushtetutën mandatin e deputetit Kokëdhima.

Dera tjetër ku trokitën ishte e Kryesisë së Kuvendit, ku u zhvillua takimi me grupin parlamentar të LSI në një mbledhje e cila drejtohej nga Petrit Vasili, në mungesë të kryetarit Meta i cili këtë të martë ka fluturuar për në SHBA për një vizitë zytare.

Ndërsa të mërkurën në orën 10:00, dy ambasadorët Lu dhe Vlahutin do të zhvillojnë mbledhjen me Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike.

Elja Zotka/Tv Klan






Të ngjashme