Ambasadori amerikan Limpreht flet për incidentin ndaj Jozefina Topallit – (5 Shtator 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Për incidentin e ndodhur disa ditë më parë në Peshkëpi të Vlorës me nënkryetaren e PD Jozefina Topalli është prononcuar dhe ambasadori amerikan në Tiranë Josef Limpreht.
Ambasadori Josef Limpreht:- “Për shkak të viteve të fundit të historisë, i marrim shumë seriozisht pretendimet dhe përpjekjet për të përdorur kërcënime dhe për të penguar kandidatët të bëjnë fushatë haptazi. Pretendime të tilla u ngritën edhe në lidhje me një vizitë të para disa ditëve për fushatë në qytetin e Vlorës, prej nënkryetares së PD Topalli. Në një kohë kur nuk dimë saktësisht se çfarë ndodhi është e domosdoshme që autoritetet e rendit publik, t’i hetojnë pretendimet e tilla në mënyrë të hapur, profesionale dhe të paanshme. Në të njëjtën kohë ata që ngrenë pretendime për kërcënime, kanë përgjegjësinë e një shoqërie të lirë, demokratike, për të ndjekur dhe për të punuar me autoritet, në mënyrë që këto autoritete të mund të përmbushin për t’i dhënë fund kërcënimeve. Nuk mjafton që thjesht të ngrihen pretendime në shtyp”.
Nga Ministria e Rendit Publik, bëhet e ditur se nga deklarimet e dëshmitarëve të pranishëm në vendngjarje, disa prej të cilëve dhe funksionarë të PD, nuk rezulton të ketë ndodhur cenim fizik i zonjës Topalli dhe as dëmtimi i makinave të eskortës së saj në Peshkëpi të Vlorës. Ndërsa debati ndërmjet tyre është bërë për faktin se Boraku dhe Hamza, ndiheshin të fyer që nuk përfilleshin më nga PD.
Robert Boraku dhe Shpëtim Hamza, janë shpallur persona në kërkim. Ndaj tyre përveç incidentit me zonjën Topalli rendojnë dhe akuza të tjera si vrasje apo tentativë vrasje, vepra penale të kryera prej tyre më parë./tvklan.al