Ambasadori i OSBE Ahrens kritikon PD për zgjedhjet – (31 Tetor 2000)


Ambasadori i OSBE Ahrens kritikon PD për zgjedhjet – (31 Tetor 2000)

14:57 31/10/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Gert Ahrens, ka paraqitur para këshillit të përhershëm të këtij organizmi, raportin më të ashpër deri tani rreth qëndrimeve të Partisë Demokratike. Ahrens ka ndjekur nga afër jo vetëm zgjedhjet lokale në Shqipëri, por gjithë procesin dhe zhvillimet politike në vend. Në përfundim të zgjedhjeve të 1 Tetorit, por dhe pas zhvillimit të balotazheve, Ahrens ka deklaruar në Vjenë, se procesi politik në Shqipëri po pengohet ende nga refuzimi i PD.

Partia Demokratike ka nënvizuar Ahrens, nuk njohu Kushtetutën, kodin zgjedhor apo Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Mosnjohja e rezultateve të raundit të parë dhe vendosja e kushteve të paarritshme për të marrë pjesë në raundin e dytë, vijoi Arhrens, janë përfundim logjik i një politike të mos bashkëpunimit, që dhe më herët çoi në bojkot.

Nuk është e dobishme për procesin demokratik, tha Ahrens, në qoftë se partia kryesore opozitare është në pështjellim dhe e paaftë qoftë për të pranuar rezultatin e zgjedhësve, qoftë për t’u reformuar apo modernizuar. Megjithatë, thuhet në raportin e OSBE është ende shumë herët për të parashikuar, nëse do të ishte i mundshëm ndonjë rigrupim i PD pas zgjedhjeve./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego






Të ngjashme