Ambasadori i OSBE takohet me kryetarët e PD dhe PS për zgjedhjet – (18 Shtator 2000)


Ambasadori i OSBE takohet me kryetarët e PD dhe PS për zgjedhjet – (18 Shtator 2000)

18:34 18/09/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Ahrens dhe një delegacion i organizatës për siguri dhe bashkëpunim, me anëtarë ambasadorët e SHBA, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë në Vjenë, kanë takuar sot kryetarët e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, si edhe kryeministrin shqiptar. Në takim me kryetarin e PD, Sali Berisha, ky i fundit ka kërkuar me Ahrens, më shumë vëmendje për parregullsitë në listat e votuesve. Kërkesës së ambasadorëve, që opozita të pranojë rezultatin e zgjedhjeve të 1 Tetorit, Berisha iu është përgjigjur me premtimin, se nëse do të sigurohen rregullsi në listat e zgjedhësve dhe në numërimin e votave, ai dhe PD do të pranojnë rezultatin.

Sali Berisha, Kryetar i PD:- “I kërkuam OSBE dhe ambasadorit Ahrens, si dhe përfaqësuesve të ambasadave, që ishin të pranishëm në këtë delegacion, që të japin ekspertët e tyre së bashku me ekspertët tanë dhe të PS, të bëjnë verifikimin e të gjitha këtyre pretendimeve, sepse ne gjatë gjithë këtyre ditëve kemi bërë një punë shumë të mundimshme dhe voluminoze dhe ne provojmë tërësisht se ka një manipulim të madh të listave të zgjedhësve nga ana e qeverisë”.

Ambasadori Ahrens ka pohuar se ka vend për rregullime në listat e votuesve. Më pas në takim me kryetarin e PS Fatos Nano, delegacioni i OSBE-së ka kërkuar nga grupi socialist bashkëpunim për përgatitjen e procesit zgjedhor. Sipas sekretares për marrëdhëniet me jashtë, Arta Dade, PS ka premtuar bashkëpunim, ndërsa në lidhje me listat e votuesve sipas saj, deri tani janë bërë korrigjime thelbësore.

Delegacioni i kryesuar nga ambasadori Ahrens është takuar pas kësaj edhe me kryeministrin Meta. Qeveria shqiptare po merr të gjitha masat për zhvillimin e një procesi zgjedhor të rregullt e transparent, për të pasur rezultate të pakontestueshme ka siguruar kryeministri shqiptar delegacionin e OSBE-së./tvklan.al






Të ngjashme