Ambasadori Limpreht apel politikës shqiptare për shtet ligjor – (14 Shtator 2000)


Ambasadori Limpreht apel politikës shqiptare për shtet ligjor – (14 Shtator 2000)

12:11 14/09/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Ka zgjedhur 14 Shtatorin, përvjetorin e dytë të revoltave ndaj institucioneve, ambasadori amerikan Josef Limpreht, për të apeluar ndaj politikës shqiptare, që të mos cenojë më shtetin ligjor dhe rendin publik. Kthimi i mungesës së rregullit, mbetet një kërcënim, shprehet Limpreht. Duke vënë në dukje se qeveria megjithatë ka ndërmarrë hapa të rëndësishme për të nxitur paqen dhe stabilitetin e brendshëm.

Sipas ambasadorit Limpreht, futja e policisë me uniformë në rrugë, instalimi i dritave të trafikut, si dhe prishja e kioskave të paligjshme, janë tregues të qartë të vullnetit dhe aftësisë së qeverisë për të sjellë rendin në kryeqytet. Duke iu referuar fushatës elektorale, Limpreht u shpreh, se kandidatët dhe udhëheqësit e partive politike, duhet të jenë në gjendje të bëjnë fushatë në çdo pjesë të vendit në mënyrë të sigurt.

Është e papranueshme, vijon Limpreht, që partitë apo udhëheqësit politikë, të krijojnë një atmosferë të tillë që do të vinte në rrezik punën e OSBE-së dhe të organizatave të tjera vëzhguese. Fjalët e ambasadorit Josef Limpreht, janë pasuar nga reagime të pakta të politikanëve shqiptarë, ndërsa Presidenti Mejdani ka heshtur në një ditë kur ai vetëm dy vjet më parë zgjidhi një situatë të ndërlikuar./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame






Të ngjashme