Ambasadori Limpreht takim zyrtar me Partinë e Re Demokratike (7 Shkurt 2001)


Ambasadori Limpreht takim zyrtar me Partinë e Re Demokratike (7 Shkurt 2001)

14:50 07/02/2001

Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri Limpreht, ka nisur bisedimet për problemet parazgjedhore. Sot paradite ai ka takuar kryeparlamentarin Gjinushi vetëm 24 orë përpara se Parlamenti të vendosë për ndarjen e re të zonave. Nga burime përpara takimit mësohet se kreu i Parlamentit është shprehur për disa tolerime nga ana e mazhorancës lidhur me vërejtjet e opozitës për hartën elektorale. Po sot Limpreht ka takuar dhe Genc Pollon dhe Dashamir Shehin, dy nga drejtuesit e Partisë së Re Demokratike në selinë e kësaj partie.

Pollo i ka shprehur Ambasadorit amerikan vullnetin politik të kësaj partie për marrëdhënien strategjike të SHBA-së. Ndërsa përsa i përket problemeve parazgjedhore Pollo e Shehi shprehën gadishmërinë në emër të Partisë së Re Demokratike për të marrë pjesë në të gjitha format e dialogut politik si në tryezat partiake, ashtu dhe në negociatat parlamentare. Ndërsa pasdite Limpreht ka takuar në Hotel Rogner, kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Ky i fundit i ka parashtruar Ambasadorit Amerikan kontestimet tashmë të njohura të opozitës lidhur me zgjedhjet parlamentare të qershorit. Pas takimit Berisha tha se ata kishin një takim të frytshëm ku u diskutuan problemet që ka vendi./tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego






Të ngjashme