Analiza e Ministrisë së Rendit, shënohen 200 raste më pak se një vit më parë (29 dhjetor 2000)


Analiza e Ministrisë së Rendit, shënohen 200 raste më pak se një vit më parë (29 dhjetor 2000)

11:13 29/12/2000

Viti 2000 ka shënuar 200 vrasje më pak se një vit më parë. Janë këto shifrat të bëra publike në analizën vjetore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë që u zhvillua sot paradite në Ministrinë e Rendit. Në këtë analizë merrnin pjesë dhe ministri i Rendit Publik Ilir Gjoni, kryetar i komisionit Parlamentar për Rendin dhe SHISH Neritan Ceka si dhe kryetar i SHISH, Fatos Klosi.

Në hapjen e analizës nga të pranishmit u mbajt 1 minutë heshtje në nder të policëve të rënë në krye të detyrës. Në raportin e mbajtur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Kolonel Bilbil Mema u theksua se gjatë vitit që po mbyllet, puna e policisë shqiptare është ngritur në një nivel më të lartë cilësor. Janë evidentuar 4526 vepra penale, 489 më pak se viti i kaluar dhe janë zbuluar 88% e tyre. Kolonel Mema ka vlerësuar si prioritet të Policisë së Shtetit për vitin e ardhshëm formimin e marrëdhënieve me komunitetin dhe administratën publike. Rritjen e strukturave të aktiviteteve të posaçme ndaj krimit në tërësi dhe krimit të organizuar.

Ministri i Rendit në fjalën e tij ka thënë se gjatë vitit 2000, miratimi i ligjit për policinë e shtetit ka shënuar një bazë të shëndoshë juridike mbi të cilat është mbështetur puna e policisë. Policia e Shtetit ka thënë ministri, është vënë plotësisht në rolin e saj në shërbim të njerëzve dhe zbatimin e ligjit. Në analizë kanë folur dhe kryetari i Komisioni Parlamentar Neritan Ceka si dhe Fatos Klosi./tvklan.al






Të ngjashme