Anëtarësimi i Shqipërisë në OBT (26 Korrik 1999)
Sot është nënshkruar marrëveshja mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për anëtarësimin e vendit tonë në OBT, Organizata Botërore e Tregtisë. Firmën shqiptare e ka hedhur Ministrja e Bashkëpunimit Ekonomik Ermelinda Meksi ndërsa për Bashkimin Evropian ka firmosur përfaqësuesi i këtij institucioni Antonio Parenti. Tani pritet që edhe Amerika të thotë Po-në e saj për anëtarësimin e Shqipërisë në OBT, ku marrin pjesë 133 vende. I pranishëm ka qënë dhe Kryeministri Pandeli Majko dhe përfaqësues të kabinetit qeveritar.
Ermelinda Meksi: Sigurisht gjithçka që ka të bëjë me integrimin është në harmoni me procesin që ne po vazhdojmë. Por ajo që ndodhi sot nuk është një punë që ndodhi në mënyre të papritur, është rrjedhojë e një punë tepër intensive që grupi negociator shqiptar po bën prej një viti dhe me shpejtësinë dhe rezultatet që ka arritur ka kaluar të gjitha parametrat që ndonjë shtet është integruar ndonjëherë në të tilla struktura.
Gazetarja: Kur pritet të hidhet hapi final për anëtarësimin e Shqipërisë në OBT?
Ermelinda Meksi: Unë këtë e kam të vështirë të them sepse sot kam patur disa biseda telefonike me Gjenevën dhe me Amerikën, për faktin se vullneti i partnerëve tanë është shumë i madh, por është e pamundur që ata të ndjekin ritmet e shpejta me të cilat ne po punojmë dhe me të cilat ne kërkojmë të finalizohet ky proces. Mora lajmin tejet pozitiv që këtë të premte do të bëhet posaçërisht për Shqipërinë edhe një takim informal pune në mënyrë të tillë që përpara konferencës së Siatllit, megjithëse Sekretariati i OBT-së në Gjenevë është zënë vetëm me procedurat e kësaj konference ministrore, jashtë radhe të bëje një takim special për
Shqipërinë për të mundësuar procedurat normale që ky proces nga pikëpamja administrative kërkon vetëm për Shqipërinë nga Shtatori./tvklan.al
Gazetare: Mirela Milori