Anija greke qëllon skafin shqiptar – (6 Shtator 2000)


Anija greke qëllon skafin shqiptar – (6 Shtator 2000)

11:00 06/09/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Një anije luftarake greke, qëllon 300 metra larg bregut shqiptar, një skaf pronarët e të cilit nuk janë identifikuar ende. Ngjarja ka ndodhur të dielën rreth orës 21, por rrethanat ende të paqarta dhe sekreti i plotë i organeve përkatëse bënë që lajmi të dali kaq vonë. Sipas policisë kriminale të Sarandës, të dielën një skaf është ndjekur në ujërat në veri të Korfuzit për shumë kohë nga një anije luftarake e marinës së ishullit grek.

Skafi për t’i shpëtuar ndjekjes së anijes është drejtuar me shpejtësi drejt gjirit të marinës së Sarandës, por 300 metra larg bregut anija greke qëllon me mitraloz drejt skafit. Fati i ka shpëtuar mrekullisht skafistët nga plumbat e anijes greke. Pasi ka parë këtë skenë dhe pasi ka dëgjuar të shtënat e mitralozit të anijes, ushtari roje i marinës së Sarandës, meqë skafi po shkonte drejt tokës qëllon në ajër me automatikun e tij. Pas të shtënave në ajër të ushtarit shqiptar, anija greke qëllon dhe njëherë ndaj skafit dhe më pas kthehet në ujërat territoriale greke.

Skafi misterioz pasi i ka shpëtuar ndjekjes së anijes greke është drejtuar për në breg, duke u futur në kepin e Qefalit, duke iu larguar dhe ndjekjes së policisë shqiptare. Puna për identifikimin e skafistëve dhe kapja e tyre vazhdon, por pa arritur ende në një rezultat./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj  






Të ngjashme