Antibiotikët, Pipero: Marrja pa rekomandim, pasoja serioze në shëndet


Antibiotikët, Pipero: Marrja pa rekomandim, pasoja serioze në shëndet

13:31 10/10/2017

Mjekët infeksionistë japin alarmin se rritja e imunitetit ndaj antibiotikëve po shndërrohet në një problem shqetësues. Shefi i Shërbimit Infektiv në QSUT, Pëllumb Pipero, tregon shkaqet që kanë sjellë këtë situate.

“Shtimi i rezistencës së mikrobeve ndaj antibiotikëve vjen si pasojë e përdorimit pa kriter të antibiotikëve nga mjekët në përgjithësi, ata të shërbimit parësor dhe veçanërisht për fëmijët. Por kjo ka edhe një anë tjetër, dhënien pa kriter, pa recetë të antibiotikëve nga farmacistët shpesh. Përdorimi pa kriter i antibiotikëve në fermat bujqësore apo në blegtori dhe marrja me anë të konsumit të produkteve apo të nënprodukteve blegtorale, të mikrobeve me rezistencë të shtuar ndaj antibiotikëve”.

Situata, sipas Piperos, është aq serioze sa ka sjellë edhe humbje jetësh.

“Vetëm në Shtetet e bashkuara te Amerikës, nga rezistenca e shtuar e mikrobeve ndaj antibiotikëve vdesin mbi 100 mijë persona në vit”.

Ai jep disa këshilla për mjekët për minimizimin e këtij problemi.

“Ne, mjekët nuk duhet të japim antibiotikë pa përcaktuar antibiogramën. Farmacistët nuk duhet të japin antibiotikë pa recetë. Të mos përdoren antibiotikë pa kriter në fermat bujqësore. Së treti, duhet medoemos, që antibiotikët e gjeneratave të reja, të are dhe të katërta edhe në qendrat spitalore rajonale apo universitare, nuk duhet të përdoren pa konsultën e infeksionistit dhe mjekut bakterolog”.

Vetëm pak ditë më pare, në një mbledhje të Shoqatës Amerikane për Mikrobiologji, mjekët ngritën shqetësimin për një “apokalips”, që mund të vijë nga antibiotikët, nëse nuk do të merren masa në kohë.

Burimi: KLAN PLUS

Gazetar: Renaldo Salianji






Të ngjashme