Anulohen HEC-et në kanionet e Osumit


Anulohen HEC-et në kanionet e Osumit

15:49 09/02/2018

Qeveria ka anuluar lejen për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Osum, pas alarmit se këto vepra do të shkatërronin kanionet e Skraparit.

Vendimi është komunikuar nga Kryeministri përmes një postimi në Facebook që e titullon: Kanionet e Skraparit nuk preken, ndërkohë që ishte paralajmëruar të enjten në mbrëmje dhe nga ministri i Mjedisit Blendi Klosi në emisionin ‘Opinion’ ku u trajtua kjo çështje.

Në postimin e tij Kryeministri shpjegon dhe arsyet pse u more ky vendim ndërsa lajmëron se personat përgjegjës për atë që ai e cilëson si një fabrikim kriminal do të kallëzohen penalisht.

“Qyshse u krye procedura ligjore e miratimit të një leje të dhënë nga qeveria e mëparshme dhe u mor sinjali se diçka nuk shkonte, ministri i Mjedisit Blendi Klosi nisi hetimin administrativ të lejes mjedisore. E cila rezultoi një fabrikim kriminal me koordinata të manipuluara. Individët e përfshirë në këtë fabrikim do të kallëzohen në prokurori, ndërsa e gjithë procedura do të anulohet. Falenderoj qytetarët që na e çuan të parët këtë sinjal përmes Platformës së Bashkëqeverisjes shqipëriaqëduam.al dhe të gjithë të tjerët që u përfshinë në publikimin e këtij krimi të mbetur në tentativë”.

Vetë ministri i Mjedisit ishte në Skrapar, në zonën ku ishte projektuar për t’u ndërtuar njëri nga hidrocentralet. Ai thotë se pas verifikimit do të kallëzojnë çdo zyrtar të përfshirë në këtë aferë.

“Mënyra sesi kanë funksionuar më parë institucionet brenda shtetit me disa lloj pengesash, me disa lloj partish e me disa lloj tepsish, kanë sjellë që edhe vepra si kjo e sotmja me një vendimmarrje jashtëzakonisht të dënueshme në kanionin e Osumit, të jetë një vendimmarrje e cila e ka kaluar në çdo kufi të saj. Do të çojmë për ndjekje penale çdo njeri, këdo zyrtar të shtetit që ka ndërtuar dhe ka lejuar që në disa dokumente të falsifikuara, të ndërtohen këto leje mjedisore, pastaj leja e shfrytëzimit të ujit e pastaj leja për ndërtimin e këtij HEC-i. Gjithashtu do kërkohet edhe ndjekje penale – ka thënë Klosi – edhe për kompaninë e cila ka manipuluar koordinatat”.

Projekti për hidrocentrale mbi lumin Osum u miratua në Shtator 2013 pak ditë para largimit të qeverisë “Berisha”.

Por në maj të vitit 2016, Ministria e Energjisë ka miratuar kontratën e re me kompaninë e interesuar për këtë investim duke e zgjeruar fuqinë e hidrocentralit Bigas-Veleshnje nga 0.5 mega në 1.2 mega. Në Dhjetor të vitit të shkuar është miratuar dhe leja për nisjen e projektit për 2 HEC-e nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Për këto procedura, kryeministri dha këtë shpjegim:

“Asnjë qeveri askund në botë nuk është e pagabueshme, por qeveritë dallojnë nga mënyra sesi reagojnë, qoftë kur gabojnë apo qoftë si në këtë rast, kur padashje mund të jenë duke gabuar”.

Tv Klan






Të ngjashme