Anulohen rezultatet e zgjedhjeve
Autoritetet zgjedhore në Kirgizistan kanë anuluar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, pas protestave të dhunshme që pasuan. Në një deklaratë të dhënë nga Ministria e Shëndetësisë ubë e ditur se nga këto protesta qindra njerëz janë plagosur dhe një ka vdekur.
Protesta të mëdha shpërthyen në vend, pasi në zgjedhjet e së dielës, vetëm katër parti politike nga 16 sa ishin, kaluan pragun për hyrjen në parlament. U bë e ditur se tre nga këto parti kishin lidhje të ngushta me Presidentin Jeenbekov.
Populli akuzoi për blerje të votave dhe kërcënim të njerëzve dhe nuk pranoi rezultatet e treguara. Pas protestave gjatë ditës, demonstruesit natën e mbrëmshme hynë në parlament dhe u përplasën me policinë, duke kërkuar që të mbahej një votim i ri.
Përveç parlamentit, protestuesit sulmuan edhe ndërtesa të tjera qeveritare, dhe arritën të lirojnë një numër të burgosurish të profilit të lartë.
Pas këtij rasti, Presidenti Sooronbai Jeenbekov akuzoi forcat politike opozitare se këto protesta janë përpjekje për të marrë në mënyrë të paligjshme pushtetin. Por, duket që komisioni zgjedhor nuk mendonte njëlloj pasi që menjëherë pas deklaratës së Presidentit, doli me vendimin e anulimit të zgjedhjeve./tvklan.al