Apeli: 12 vjet burg për Riformaton
Me vendim të formës së prerë, Xhorxho Riformato piloti i avionit të rrëzuar në plazhin e Divjakës është dënuar me 12 vite burg. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda i ka ulur 3 vite burg, pasi Shkalla e Parë kishte vendosur dënimin me 15 vite heqje lirie.
Avioni i Riformatos, në 9 Majin e vitit 2014, u ul në plazhin e Divjakës për t’u ngarkuar me rreth 400 kilogramë kanabis. Por nuk mundi të ngrihej për shkak të dëmtimit në ulje.
Prokuroria e akuzon 69 – vjeçarin për trafik të lëndëve narkotike të mbetur në tenativë, kjo e kryer në bashkëpunim.
Riformato në këtë seancë kundërshtoi akuzën e ngritur, duke pretenduar se një sërë provash të sjella në këtë gjykim nuk qëndronin.
Në 25 Nëntor të vitit të kaluar, Krimet e Rënda dënuan me 47 vite burg në total 6 bashkëpunëtorët e pilotit italian.
9 vite u dënua dhe organizatori kryesor e këtij trafiku Sajmir Bajrami, i cili sollin në Shqipëri Riformaton, duke i treguar dhe vendin ku do ulej.
Po me 9 vite u dënua dhe Maringlen Ymeraj, ish – efektiv policie, që kishte marrë përsipër se ngarkimi i drogës në plazhin e Divjakës nuk do të pengohej nga policia.
Paketuesit e drogës, Orgest Bilbili dhe Kristian Demça do të vuajnë nga 7 vjet e katër muaj. Ndërsa Kleviol Ahmetaj dhe Aurel Pupe janë dënuar me 6 vite e 8 muaj heqje lirie.
Tv Klan