Arben Malaj intervistë për Fatos Nanon (30 Prill 1999)


Arben Malaj intervistë për Fatos Nanon (30 Prill 1999)

11:49 30/04/1999

Vazhdojnë polemikat brenda grupit parlamentar socialist rreth kërkesës së 40 deputetëve për rikthimin e Nanos në krye të partisë. Ja si e shpjegon situatën ish Ministri i Financave, Arben Malaj njëri prej nënshkruesve të peticionit pro Nano.

Arben Malaj: Unë mendoj që thelbi i debatit nuk është emri Nano ose kushdo emër tjetër. Thelbi ka qënë kriza e lidershipit që mund të ketë një forcë politike dhe që është e natyrshme që duhet të zgjidhet sa më shpejt. Bile dhe rastet në praktikën ndërkombëtare siç ishte rasti i PASOKU-t para pak kohësh ose rasti i Partisë Socialdemokrate Gjermane, treguan se kriza të tilla nuk duhet të vazhdojnë gjatë dhe kërkesa jonë ishte elementi i përgjegjësisë së forcës politike që qeveris vendin në koalicion dhe që ka një pjesë të konsiderueshme në jetën politike të vendit.

Gazetari: Kjo kërkesa juaj ka ndeshur një reagim të ashpër të krahut tjetër. Si e shpjegoni ju këtë?

Arben Malaj: Nga tradita gjëja më e lehtë që ka pasur përvojën politika
shqiptare ka qënë shpallja e armiqve dhe për fat të mirë kjo ka treguar që ata që janë shpallur armiq nuk kanë qënë asnjëherë armiq.

Nuk është e sigurtë nëse 40 deputetët socialistë do të braktisin Parlamentin nëse Nano nuk rikthehet në krye të Partisë. Sekretari parlamentar i grupit socialist Jupe i cili ka paralajmëruar demokratët një ditë më parë se rrezikojnë vendet në Parlament, nuk beson se 40 deputetët pro Nano do të braktisin Parlamentin.

Jupe: Ata e kanë marrë mandantin për ta ushtruar atë deri në fund. Deri më sot unë nuk kam dëgjuar ndonjë deputet socialist që të thotë unë do largohem nga Parlamenti.

Gazetari: Ju e mohoni që të ekzistojë një listë me 40 firma të 40 deputetëve për rikthimin e Nanos në krye të Partisë Socialiste?

Jupe: Unë nuk kam parë deri më sot ndonjë listë të tillë por edhe nëqoftëse do të jetë ndonjë listë e tillë, këta nuk deklarojnë që do të largohen nga
Parlamenti.

Gazetari: Po rikthimi i Nanos si do të zgjidhet kërkesa e tyre?

Jupe: Ku do rikthehet Nano?

Gazetari: Në krye të partise.

Jupe: Ai do të rikthehet nëqoftëse e zgjedh Kongresi./tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame






Të ngjashme