Arben Malaj intervistë për refugjatët (29 Mars 1999)
Intervistë me Arben Malaj i cili flet për hapat përkatëse që duhet të ndërmarrë Qeveria për të përballuar fluksin e refugjatëve kosovarë.
Arben Malaj: Duhet që në kohën e duhur Qeveria të ndërmarrë hapat përkatëse për të eleminuar ose minimizuar mundësinë që nga një krizë që ka të bëje me krizë humanitare për refugjatët të mos tentojë në një krizë financiare për ekonominë shqiptare. Ajo që duhet theksuar është që ekonomia shqiptare është akoma e brishtë, ajo ka rezultate pozitive por ato duhen konsoliduar. Dhe nëqoftëse cënohen nga kriza ato nuk janë të qëndrueshme. Mund të ketë hapa konkrete në të cilat do të duhet një angazhim i drejtpërdrejtë i Kryeministrit për institucionet ndërkombëtare, ku duhet kërkuar nga donatorët kryesorë siç mund të jetë Banka Botërore, siç mund të jetë Komisioni Europian, të cilët të përballojnë shpenzimet suplementare që Qeveria Shqiptare do të përdorë për këtë krizë ku mund të përfshihen shpenzime specifike për Ministrinë e Mbrojtjes, për Ministrinë e Rendit, për Ministrinë e Shëndetësisë, për Ministrinë e Pushtetit Lokal. Në këtë mënyrë mund të minimizohet efekti i kësaj krize dhe nga ana tjetër Ministritë duhet të evidentojnë koston e gjithë kësaj periudhe në mënyrë që të gjenden burimet e mbulimit. Gjithë ideja është që të mos kemi zhvleftësim të madh të monedhës kombëtare dhe të mos kemi tejkalim të defiçitit buxhetor në përmasat që rrit inflacioni pasi ne e dimë që tashmë niveli i jetesës për pjesën më të madhe të popullsisë është i ulët dhe nuk duhet të shkojë në nivele më të ulta por duhet të shkonte drejt përmirësimit.
Gazetari: Cili është kontributi personal i zotit Malaj për familjet kosovare?
Arben Malaj: Unë si gjithë të tjerët duhet të marrim brenda mundësive të strehimit mundësisht një grua me një fëmijë të vogël, sepse ata që janë…janë pikërisht fëmijët e vegjël të cilët edhe nga ajo çka prezanton televizioni janë dhe grupi që lëndohen më tepër nga kjo krizë./tvklan.al