Arben Malaj: Mazhoranca e gatshme për ndryshime politike (5 Janar 2001)


Arben Malaj: Mazhoranca e gatshme për ndryshime politike (5 Janar 2001)

12:15 05/01/2001

Zyra e OSBE-së në Tiranë i është rikthyer ndërmjetësimin midis forcave politike shqiptare për problemet e kodit elektoral në KQZ për listat e votuesve. Në zyrat e Parlamentit, oficeri politik i OSBE-së Bolton ka diskutuar për rreth 60 minuta këtë çeshtje me sekretarin e përgjithshëm socialist Ruçi dhe kryetarin e mazhorancës në Parlament, Arben Malaj. Pas takimit, oficeri politik i OSBE-së Bolton u shpreh:

“Diskutum të gjitha çeshtjet që kanë të bëjnë me përgatitjet e zgjedhjeve parlamentare. Është misioni i OSBE-së të diskutojë këto probleme me autoritetet shqiptare.”

Sipas kryetarit Malaj të gjitha propozimet për përmirësimet në procesin zgjedhor do të diskutohen në tryezat politike.

“Mazhoranca, duke qenë mazhorancë parlamentare, shpreh vullnetin politik se të gjitha propozimet që do të vijnë të jenë propozime të cilat do të jenë transparente për të gjitha forcat politike shqiptare. Nuk ka ngutje nga mazhoranca për të bërë ndryshime në kod, por ka vullnet politik për të bërë plotësime ose përmirësime nëse ato do të bëjnë të domosdoshme së pari nga forcat politike shqiptare dhe së dyti nga organizmat ndërkombëtarë.”

Krahas këtij takimi në zyrën Malaj ka arritur dhe nënkryetari i kuvendit Namik Dokle, ndërsa në Presidencë, kryeparlamentari Gjinushi ka zhvilluar një takim kokë më kokë me Presidentin Mejdani. Krahas kërkesës për dorëheqjen e komisionerëve, mazhoranca ka evidentuar një pjesë të anëtarëve të KQZ-së të cilët janë përzgjedhur përpara miratimit të kodit elektoral nga Presidenti Mejdani dhe KLD./tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame






Të ngjashme