Arbëreshët në mbështetje të kuqezinjve
Mediat italiane bëjnë të ditur se komuniteti arbëresh në Siçili është organizuar për të marrë pjesë në mënyrë masive në ndeshje. Me ndjenjën e përkatësisë së ringjallur për këtë ditë arbëreshët e rrethinave të Palermos nga Piana degli Albanesi, Contessa Entellina, Santa Cristina Gela dhe deri tek Mezzojuso, raportohet se do të mbështesin Shqipërinë në Renzo Barbera.
Deri tani janë më shumë se 25 mijë bileta të shituara. Mendohet se tifozët kuqezinj do të jenë më shumë se 5 mijë. Pikërisht në qytezën e Piana Degli Albanesi, do të grumbullohen pjesa më e madhe e atyre që jetojnë në Itali për t’u drejtuar në mbrëmje ne Palermo. Zyrtarë të Federatës së Futbollit kanë vizituar pikërisht këtë qytezë, ku është përqendrimi më i madh i arbëreshëve.
Palermo është duke përjetuar orët e fundit të normalitetit para ndeshjes Itali – Shqipëri.
Qyteti pritet të përjetojë orë te nxehta teksa atmosfera do të rritet pasdite. Policia vendase ka marrë masa për ndeshjen dhe mediat vendase e kanë cilësuar si revolucion, kufizimin e rrugëve për automjetet.
Thuajse të gjithë segmentet që të çojnë në stadiumin Renzo Barbera do të bllokohen për trafikun madje nuk do të lejohet as parkimi i mjeteve që prej orës 10, ka nisur bllokimi i disa segmenteve për ti lënë vend autobusëve të tifozëve.
Ndërsa në orën 17 do të bllokohen të gjithë segmentet dhe do të bëhet devijimi i trafikut. Pritet që rrugët e bllokuara të mbikëqyren nga policia.
Tv Klan