Ardi Veliu del para Vettingut


Ardi Veliu del para Vettingut

16:30 06/02/2020

I pastër, por ka dyshime se favorizoi trafikun klandestin

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, doli para Komisionit të Vettingut. Ai u përgjigj për pasurinë, aftësitë profesionale dhe pastërtinë e figurës.

Deklaroi se kishte porositur një apartament në Tiranë me vlerë 79 mijë Euro. Pesë milionë Lekë janë kredi, ndërsa pjesa tjetër të ardhura nga puna dhe familja.

Ai deklaron 5 mijë Euro të ardhura nga shitja e një makine, ndërsa bashkëshortja rezulton me llogari bankare 2.4 milionë Lekë të dhuruara nga prindërit.

Sipas Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit pasurinë e ka të justifikuar. Edhe për aftësinë profesionale nuk pati probleme.

Ndërsa, përsa i përket pastërtisë së figurës, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit tha se kishte marrë një informacion nga DSIK që Ardi Veliu, në vitet 2002, 2003 dhe 2007 ka qenë i implikuar në kalimin e paligjshëm të klandestinëve, favorizim të falsifikimit të vizave por që nuk është hapur asnjëherë hetim penal si dhe nuk është marrë person nën hetim.

Periudha për kur bëhet fjalë është ajo kur z.Veliu ka mbajtur detyrën e shefit të Policisë Bashkiake në Bashkinë e Vlorës, detyrë që e mbajti deri në vitin 2013 kur u rikthye në radhët e Policisë së Shtetit.

Vetë Veliu tha se në këtë periudhë ai nuk ka qenë në radhët e Policisë së Shtetit, por ka qenë në dispozicion. Edhe vetë emërimi i z.Veliu në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë në Shkurt të vitit 2018, sipas Shoqatës së Policëve në Lirim është i paligjshëm, pasi ai nuk përmbushte kushtin e vjetërsisë prej 10 vitesh në poste drejtuese në Policinë e Shtetit.

Një tjetër ankesë kishte mbërritur nga sindikata e policisë, sipas të cilës ai nuk ka mbajtur një qëndrim korrekt në detyrë. Por Komisioni argumentoi se qëndrimi i tij ka qenë sipas ligjit.

Tv Klan






Të ngjashme