PD e LSI në opozitë, por me ministra në qeveri
Haki Mustafa është drejtori i parë teknik i marrëveshjes Rama – Basha që u shkarkua nga detyra e kreut të OSHEE –së.
Por ndryshe nga ai, kur fituesit dhe humbësit e zgjedhjeve e kanë pranuar rezultatin, 4 drejtore, 6 ministrat teknikë dhe zëvendëskryeministrja, vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë, ndonëse misioni i tyre ka përfunduar pas 25 qershorit, siç e kishte bërë të qartë kryeministri Rama.
Njësoj si ministrat dhe drejtoret teknikë të Partisë Demokratike, në qeveri vazhdojnë të qëndrojnë edhe ministrat dhe drejtoret e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila e ka pranuar humbjen dhe ka deklaruar publikisht daljen e saj në opozite.
Qëndrimi në qeveri i ministrave të PD e LSI nuk përben shkelje të ligjit.
Por mbajtja e tyre në ekzekutiv e bën të pakuptimtë pozicionin e këtyre dy partive, të cilat, edhe pse kanë deklaruar se tani janë në opozitë të fortë me qeverinë Rama, vazhdojnë të jenë pjesë e saj për të përfituar të mirat e pushtetit.
Burime nga Partia Demokratike, të pyetur për këtë çështje, bënë të ditur se ministrat teknikë do të qëndrojnë në detyre deri në certifikimin e raportit final të OSBE – ODIHR. Ndërsa vetë Ministrja e Arsimit Mirela Karabina dhe ajo e Çështjeve Sociale, Xhulieta Kërtusha, janë shprehur se do të qëndrojnë në detyrë deri në formimin e qeverisë së re, siç përcakton neni 106 i Kushtetutës.
/Tv Klan