Armend Dallku la futbollin
Armend Dallku la futbollin e luajtur.
Ai zhvilloi takimin e fundit me fanellën e Vorskla Poltava në kampionatin ukrainas. Pas 11 vitesh me skuadrën ukrainase dhe për disa sezone si kapiten, 32 – vjeçari u përcoll si një hero.
Falë edhe ndihmës së Armend Dallkut, Vorskla Poltava fitoi edhe të vetmin trofe në vitin 2009, Kupën e Ukrainës, ndërsa në sezonin 2011 – 2012 mori pjesë në fazën e grupeve të Europa League.
Armend Dallku i dha lamtumirën Kombëtares vitin e kaluar, në një ceremoni para miqësores Kosovë – Shqipëri.
Mbrojtësi luajti me kuqezinjtë 64 ndeshje duke shënuar edhe një gol në takimin kualifikues të Kupës së Botës 2010 me Maltën në Tiranë.
Armend Dallku e nisi karrierën në Vushtrinë e Kosovës, ndërsa ka veshur edhe fanellën e Prishtinës dhe Elbasanit.
Tv Klan