Arratisja e tre shqiptarëve nga burgu, ministri italian: Do përfundojë keq!
Prej ditësh tre shqiptarët, të cilët u arratisën nga burgu “Rebibia” po qëndrojnë në arrati. Për këtë çështje ka ndërhyrë dhe Ministri i Brendshëm Italian, Anxhelino Alfano.
“Historitë e fundit na tregojnë se arratisjet kanë përfunduar keq për të burgosurit. Jam i bindur se edhe për këtë rast kështu do jetë”, theksoi ai.
Ministri nuk përjashtoi mundësinë që Tesi Basho, Mikel Hasanbelli dhe Ilir Pere të jenë ndihmuar nga ndonjë bashkëpunëtor.
“Brenda qendrave të ndalimit punon policia e burgjeve dhe ministri Orlando po menaxhon situatën shumë mirë”, nënvizoi Alfano. Sipas tij nuk ka asgjë për tu shqetësuar për arratisjen.
Por mediat i përshkruajnë tre shqiptarët si shumë të rrezikshëm dhe i bëjnë thirrje qytetarëve të kenë kujdes. /tvklan.al