Burg për 4 të arrestuarit e 3.4 milionë Eurove


Burg për 4 të arrestuarit e 3.4 milionë Eurove

15:45 28/06/2018

Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për katër të arrestuarit e 3,4 milionë Eurove që u bllokuan në dy Toyota Yaris në portin e Durrësit. Edi Lika, djalin e tij Klevi, Arben Çeka dhe Alban Mollaymeri do të qëndrojnë në qeli deri në përfundim të hetimit. Ata akuzohen për pastrim parash, armëmbajtje pa leje dhe falsifikim parash në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Pas kësaj seance dosja i kaloi  Krimeve të Rënda për kompetencë. Në të gjithë materialin e prokurorisë thuhet se ky është një grup i strukturuar kriminal sëbashku me dy kushërinjtë e shpallur në kërkim Elvis dhe Alfred Vladit. Ata dy janë personat që kanë porositur makinat në Belgjikë ku dyshohet se janë marrë dhe paratë. Sipas Prokurorisë rolet e këtyre personave kanë qenë të përcaktuar. Elvis Vladi ka organizuar gjetjen e makinave në Belgjikë.

Edi Lika, Klevi Lika dhe Arben Çeka do të merreshin me transportin deri në  Shqipëri. Në portin e Durrësit mjetet do priteshin nga Alfred Vladi dhe Alban Mollaymeri të cilët do të kryenin procedurat e zhdoganimit. Prokuroria ka dyshime se pjesë e këtij grupi kriminal ka dhe të tjerë persona të cilët ende nuk janë identifikuar.

I vetmi person i cili dyshohet se mund t’i ketë takuar ata në Belgjikë është Elvis Vladi gjatë marrjes së parave. Për këtë arsye arrestimi i dy kushërinjve Vladi është mjaft i rëndësishëm për hetuesit, pasi janë personat që lidhin dërguesin me pritësin e parave.

 

Tv Klan






Të ngjashme