Arrest me burg për mësuesin 63-vjeçar
Akuzohet se ngacmoi seksualisht një nxënëse
Gjykata e Fierit vendosi këtë të premte të lërë në burg Agron Begon, mësues i shkollës së mesme artistike “Jakov Xoxa” në këtë qytet.
63-vjeçari akuzohet për ngacmim seksual ndaj një nxënëseje, e cila e denoncoi këtë rast në emisionin investigativ “Stop” në Tv Klan. Në seancën gjyqësore mësuesi nuk ka dhënë asnjë shpjegim për akuzat.
Përmes një kamere të fshehtë, mësuesi u filmua teksa ofrohej ta ndihmonte nxënësen e tij me mungesat, në këmbim të intimitetit. Rasti u bë publik nga emisioni Stop në 11 Shkurt, ndërsa një ditë më pas policia e Fierit e shoqëroi mësuesin e muzikës nën akuzën e ngacmimit seksual.
Një hetim administrative për ngjarjen ka nisur edhe Drejtoria Arsimore e Fierit, e cila ka shkarkuar menjëherë nga detyra mësuesin e muzikës.
Tv Klan